dpshtrr

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor

Kontrolli mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e autoriparimeve dhe të transportit rrugor.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton se në zbatim të Ligjit Nr.9573, datë 03.07.2006 Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to", për të eliminuar konkurrencën e pandershme, informalitetin si dhe që këto subjekte të ofrojnë një shërbim të kualifikuar dhe profesional, me fuqinë që i jep neni 37 i këtij ligji, do të ushtrojë kontrollet mbi subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e autoriparimeve.

 

Njoftohen të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë, të marrin masa për pajisjen me licenca pasi ushtrimi i veprimtarisë pa leje do të ndëshkohet me masa administrative sipas nenit 39 të Ligjit Nr.9573, datë 03.07.2006 si më poshtë:

1. Për subjektet, me objekt veprimtarie ,

a) për veprimtaritë e riparimit dhe të mirëmbajtjes së pjesëve mekanike dhe të   motorit;

b) për riparimin dhe mirëmbajtjen e karrocerisë;

c) për riparimin dhe mirëmbajtjen e impiantit elektrik;

ç) për riparimin dhe mirëmbajtjen e gomave;

Masa administrative e përcaktuar fillon, nga 200.000 (dyqind mijë) lekë deri në 500.000 (pesëqind mijë) lekë;

2. Për subjektet, me objekt veprimtarie që blejnë, shesin mjete me motor dhe rimorkio;

Masa administrative e përcaktuar fillon, nga 400.000 (katërqind mijë) lekë deri në 700.000 (shtatëqind mijë) lekë;

3. Për subjektet, me objekt veprimtarie që mbledhin, depozitojnë, shkatërrojnë mjetet ose pjesë të tyre të dala jashtë përdorimit apo të braktisura.

Masa administrative e përcaktuar fillon, nga 100.000 (njëqind mijë) lekë deri në 300.000 (treqind mijë) lekë;

4. Për subjektet, me objekt veprimtarie në trajtimin e praktikave të qarkullimit të mjeteve me motor dhe/ose të rimorkiove kuptohet kryerja, kundrejt pagesës, e këshillimit, asistencës, përshpejtimit të procedurave dhe plotësimit të dokumentacionit të kërkuar nga agjencitë, për llogari të çdo personi ose subjekti që kërkon të kryejë veprimtaritë, që lidhen me qarkullimin rrugor të mjeteve me motor dhe/ose të rimorkiove që po operojnë në treg të palicensuar nga MIE

Masa administrative e përcaktuar fillon, nga 200.000 (dyqind mijë) lekë deri në 400.000 (katërqind mijë) lekë.

Këto shkelje shoqërohen edhe me konfiskimin e pajisjeve që kanë shërbyer për të kryer veprimtarinë e jashtëligjshme.

Në zbatim të nenit 40 "Shkelja e kushteve të lejes" dhe nenit 41 "Shkelje të tjera" të Ligjit Nr.9573, datë 03.07.2006, kontrolli do të ushtrohet edhe mbi subjektet e licencuara. Për subjektet e licencuara për të cilat do të konstatohen shkelje të neneve të mësipërme, në zbatim të nenit 43 të ligjit mbi autoriparimet do të merren masa deri në pezullimin e veprimtarisë.

Gjithashtu njoftohen të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në transportin rrugor në përputhje me parashikimet e bëra në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” dhe ligjin Nr.8308, datë 18.3.1998 “Për Transportet Rrugore”, akteve ligjore dhe nënligjore të dala në zbatim të tyre, të marrin masa për pajisjen me autorizimet, lejet, licencat, certifikatat apo dëshmitë përkatëse që parashikon ligji pasi në mungesë të tyre do të ndëshkohen me masa administrative sipas parashikimeve ligjore.”

Njoftohen subjektet që kontrollet do të nisin duke filluar nga data 2 Maj 2018.