Drejtoria e Kontrollit të Transportit Rrugor është pjesë përbërëse e DPSHTRR-së. Kjo drejtori ka për qëllim kryerjen e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet sektorëve të kontrollit rrugor të ngritur në të gjitha Drejtoritë Rajonale.
Bazuar në LIGJET:
- Ligjin Nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Neni 12.
- Ligjin Nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për Transportet Rrugore”, i ndryshuar, Neni 66 dhe 67.
- Ligjin Nr.10279, datë 20.05.2010 ”Për Kundravajtjet Administrative”.
- VKM Nr. 153, datë 07.04.2000, “Për miratimin e rregullores në zbatim të kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, Neni 21, pika 4.
- VKM Nr. 207, datë 25.02.2009 “ Për miratimin e rregullores për kontrollin në anë të rrugës dhe në zyrat e ndërmarrjeve, për sa i përket zbatimit të rregullave të kohës së punës, për personat, që kryejnë transport rrugor dhe për orët e drejtuesve të mjeteve”.
- Udhëzimit Nr. 4162, datë 18.10.1999, të Ministrit te PPT, “Mbi kontrollin shteteror dhe mbikqyrjen e kualifikuart të transportit rrugor”, si dhe në aktet në zbatim të tyre.
Shërbimi i kontrollit të transportit rrugor, në territorin administrativ ku kryen veprimtarinë e vet, tregon kujdes dhe kontrollon shfrytëzimin ekonomik të mjeteve. Për këtë ai kryen kontroll të vazhdueshëm shtetëror të specializuar të subjekteve të transportit rrugor dhe përdorimit ekonomik të mjeteve të tyre, në vënde të veçanta në rrugë, pa penguar trafikun rrugor. Në këtë veprimtari, kontrollon mjetet dhe verifikon në vënd dokumentacionin e qarkullimit e drejtimit të tyre. Nëpërmjet kontrollit ai konstaton, dokumenton dhe ndëshkon shkeljet administrative në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallërave. Kur parashikohet në ligj, shqyrton masa nëpërmjet organit të vet administrativ.
Në veprimtarinë e vet, bashkërendon punën me policinë rrugore, policitë e pushteteve lokale, organet e tatim- taksave, organet e kontrollit teknik të mjeteve etj.